Për tri ditë me radhë (14,15 dhe 16 qershor) në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës qytetarët patën mundësinë që të vizitojnë ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Ekspozita u vizitua nga më shumë se 665 qytetarë përgjatë tri ditëve sa ishte e hapur, ndërsa në ditën e parë të saj të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga 12 institucionet kyçe të cilat janë përgjegjëse për luftimin e dhunës në familje, për të bashkëbiseduar me qytetarët lidhur me institucionin që përfaqësojnë.
Në këtë ekspozitë simbolikisht paraqitej një labirint, teksa ambienti i përngjante një shtëpie ku ushtrohet dhuna, në muret e së cilës ishin të vendosura mesazhet e atyre që përjetuan dhunë në familje. Këtu qytetarët përmes materialeve multimediale dhe interaktive dëgjuan rrëfimet e grave dhe burrave kosovarë që kanë përjetuar dhunë në familje.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së ndër të tjera theksoi rolin e shoqërisë në trajtimin e dhunës në familje.
“Dhuna në familje nuk është çështje private. Dhuna në familje është çështje publike dhe qytetari duhet të jetë aktiv,” tha Rogova duke i përmendur mekanizmat për luftimin e kësaj dukurie.
Kurse, Reyes Charle Cuellar, Këshilltare Gjinore, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshkruar ndjenjën e qëndrimit brenda mureve.
“Kur ishe brenda mureve ishte shumë nxehtë dhe ngulfatëse, mirëpo ishte tejet interesant saqë kur dilje nga aty kishte një fllad të freskët shprese falë pranisë së institucioneve”, u shpreh ajo.
Tutje, Gunther Zimmer, Udhëheqës i Zyrës nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA) tha se luftimi i dhunës në familje është prioritet me rëndësi të lartë për qeverinë austriake dhe se për ta luftuar këtë dukuri në Kosovë, kjo organizatë bashkëpunon suksesshëm me RrGK-në që nga viti 2012.
“Kemi parë ndryshime të rëndësishme siç është aprovimi i Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe së fundi përfshirjen e dhunës në familje si definicion në Kodin Penal të Kosovës”, u shpreh ai.
Po ashtu, Vlora Nushi, Shefe e Zyrës, UN Women, ka çmuar kreativitetin e shfaqur nga RrGK përmes kësaj ekspozite. Kurse të pranishëm ishin edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari si dhe Koordinatori Kombëtar kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj.
Muret mbajtëse të ekspozitës tregonin rolin dhe obligimet e institucioneve në trajtimin e dhunës në familje. Kjo gjë u vlerësua nga qytetarët.
“Falemnderit shumë për çka keni bë, sepse storiet brenda shpisë janë storiet e mija. Tani jam informu për ndihmën juridike, por më herët nuk kemi ditë për institucione si Avokati i Popullit. Kemi bë foto të çdo shenje [të institucioneve], për informacion”, ishin fjalët e një gruaje që së bashku me fëmijët e saj vizituan ekspozitën.
Numrat në muret e ekspozitës bartnin me vete historitë e 68% të grave kosovare që kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre Këta numra e këto tregime prekën ata që morën guximin të ecin brenda labirintit.
“Secila storie më e vërtetë se tjetra dhe është shumë vështirë me i dëgju”, “Ekspozitë shumë e qëlluar, përgëzime për punën që po bëni”, janë disa nga përshtypjet e vizitorëve të kësaj ekspozite të shoqëruara me përgëzime dhe kërkesën që aktivitete të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Ekspozita gjatë muajve të ardhshëm do të hapet edhe në pesë komuna të tjera të Kosovës, përkatësisht në Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Pejë dhe Mitrovicë.
Kjo ekspozitë u përkrah nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (#EVAW), Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), TOML, Night Design, si dhe nga biznese e vullnetarë.
Për më shumë fotografi nga ekspozita klikoni KËTU.
Kurse, në KËTË intervistë Adelina Berisha, Koordinatore për Hulumtim dhe Avokim mbi Dhunën në Baza Gjinore në RrGK, shpjegon më shumë lidhur me ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.